Secondary Adv

Ndërtimi i korridorit VIII, miratohen 2 vendime për shpronësimet, i hapet rrugë vijimit të punimeve

Qeveria ka miratuar dy vendime të reja për shpronësimet në funksion të ndërtimit të Korridorit VIII, duke i hapur rrugë vijimit të punimeve në segmentet strategjike Elbasan – Qafë Thanë dhe Elbasan – Lekaj.

Vendimet lidhen me kompensimin e pronarëve të pasurive që preken nga zgjerimi i korridorit, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore që synon lidhjen e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut dhe rrjetin europian të transportit.

 

Shpronësimet për segmentin Papër – Ura e Grykshit

Njëri nga vendimet e miratuara lidhet me segmentin Papër – Ura e Grykshit, ku janë përcaktuar kompensimet për pronarët e tokave dhe pasurive të prekura nga ndërtimi i aksit rrugor.

Vlera totale e shpronësimit për këtë segment arrin në rreth 14.6 milionë lekë.

 

Ndërkohë, vendimi i dytë ndryshon një vendim të mëparshëm për fazën III të projektit në drejtimin Elbasan – Qafë Thanë, duke rritur ndjeshëm fondin e shpronësimeve.

Sipas ndryshimeve të miratuara, vlera totale e kompensimit rritet në rreth 14.7 milionë lekë, nga vetëm 684 mijë lekë që ishte parashikuar më herët.

 

Vijojnë punimet në disa lote të korridorit

Ecuria e punimeve në territorin shqiptar mbetet e ndryshme sipas loteve ku po punohet, ndërsa qeveria synon që gjatë këtij viti të përfundojnë disa prej segmenteve kryesore.

 

Në aksin Elbasan – Qafë Thanë, përveç lotit të parë që është përfunduar tashmë, synohet mbyllja gjatë këtij viti e fazave II, III dhe V, të cilat përfshijnë segmentin nga Labinot-Fushë deri në Librazhd.

 

Në total, në drejtimin Elbasan – Qafë Thanë janë në zbatim 8 kontrata që mbulojnë rreth 26 kilometra rrugë.

Paralelisht, gjatë vitit 2026 pritet të përfundojnë edhe 6 lote në drejtimin Elbasan – Rrogozhinë, që mbulojnë afro 20 kilometra nga 40.7 kilometra gjithsej.

 

Segmente të tjera mbeten për t’u tenderuar

Pavarësisht progresit të deritanishëm, disa segmente të rëndësishme të Korridorit VIII mbeten ende për t’u tenderuar.

Në drejtimin Elbasan – Qafë Thanë pritet të kontraktohet segmenti nga fshati Xhyrë deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut.

 

Ndërsa në aksin Elbasan – Rrogozhinë mbetet për t’u prokuruar segmenti nga Peqini deri në lidhjen me autostradën Adriatiko-Joniane.

Pjesë e projektit do të jetë edhe bypass-i i Elbasanit, i cili do të lidhë segmentet aktualisht në ndërtim. Për këtë projekt është hapur tashmë tenderi për ndërtimin e 4 kilometrave të para.

 

Korridori VIII konsiderohet një nga projektet strategjike të transportit në rajon, me synimin për të përmirësuar lidhjen rrugore mes Adriatikut dhe Ballkanit Lindor, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe pasagjerëve drejt tregjeve europiane.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat